Saturday, November 27, 2010

Te drejtat e njeriut.

“Dhunimi sot i  te drejtave te njeriut eshte shkak per konflikte neser…”[1]
E pra nuk ka fjale me te duhur per te vene ne dukje rendesine e te drejtave te njeriut sesa kjo me lart.
Po cfare jane ne vetevete te drejtat e njeriut dhe nga rrejedhin ato?
"Të gjithë njerëzit janë të lirë dhe të lindur me të drejta dhe dinjitet të barabartë" -  kështu fillon neni 1 i "Deklaratës së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut". Të gjithë ne, që sa lindim, kemi të drejta të caktuara, të quajtura të Drejtat e Njeriut. Këto të drejta i takojnë çdonjërit dhe janë të patjetërsueshme, d.m.th., ato nuk mund t'i mohohen askujt. Tekstet në vazhdim paraqesin dy përkufizime tipike të të drejtave të njeriut, të nxjerra nga fjalorë të ndryshëm:
"Të drejtat e njeriut janë të drejtat e individit për mbrojtje ndaj ndërhyrjeve të shtetit, që i janë dhënë atij për shkak të ekzistencës si qenie njerëzore, Këto të drejta janë të përhershme dhe nuk mund të kufizohen nga shteti. Nga koha e luftës kundër absolutizmit rrjedh edhe karakterizimi i tyre si të drejta "të lindura" dhe "patjetërsueshme". Thelbi i të drejtave themelore apo i të drejtave të njeriut, janë dinjiteti i njeriut, e drejta e shprehjes së personalitetit, trajtimit të barabartë dhe barazisë para ligjit, liria e besimit dhe ndërgjegjes, e mendimit, shtypit, informimit dhe e mësimit, liria e mbledhjes dhe e bashkimit, zemërgjerësisë,,liria e profesionit dhe e punës, pacenueshmëria e banesës, garantimi i pasurisë dhe i të drejtës së trashëgimisë, e drejta e strehimit politik dhe e peticionit, si dhe të drejtat juridike, si garanci kundër arrestimit të padrejt"
"Në zhargonin politik, përkufizimi 'të drejtat e njeriut' paraqet në radhë të parë tërësinë e atyre të drejtave, të cilat individi mund t'i kërkojë vetëm për shkak të ekzistencës së tij si qenie njerëzore, dhe që duhet të sigurohen me ligj nga bashkësia për arsye etike. Në këtë kontekst bëhet fjalë edhe për të drejtat 'natyrore', 'parashtetërore', 'të lindura' apo 'të patjetërsueshme', në respektimin dhe sigurimin e të cilave legjitimohet një bashkësi politike."
Sigurisht qe te drejtat e njeriut nuk jane rastesore per te ardhur deri ketu ku jemi sot eshte dashur shume pune dhe perpjekje ne tab.me poshte jepet ne menyre te shkurtuar gjithe rruga e zhvidhimit te te drejtave te njeriut:
Ngjarjet më të rëndësishme në zhvillimin e të drejtave të njeriut
1215- Karta Magna Libertatum
1628-Petition of Rights (Angli)
1679-Dosja Habeas-Corpus (Angli)
 1776-Virginia Bill of Rights (SHBA) -  Deklarata Amerikane e Pavarësisë
1789- Deklarata e të Drejtave të Njeriut dhe të Drejtave Qytetare në Revolucionin Francez
26 qershor 1945-Karta e Kombeve të Bashkuara
10 dhjetor 1948- Deklarata e Përgjithshme e të Drejtave të Njeriut
4 nëntor 1950- Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut
19 dhjetor 1966- Pakti Ndërkombëtar për ë Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore- Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Qytetare dhe Politike
22 nëntor 1969- Konventa Amerikane për të Drejtat e Njeriut
1 gusht 1975- Dosja Përfundimtare e Helsinkit
27 qershor 1981- Karta Banjul e të Drejtave të Njeriut dhe të Drejtës Ndërkombëtare (Afrikë)
19 shtator 1981- Deklarata e Përgjithshme e të Drejtave të Njeriut në Islam
14 qershor 1992- Deklarata e Rios për Ambjentin dhe Zhvillimin
qershor 1993-Konferenca për të Drejtat e Njeriut (Vjenë)
Ideja e barazisë së të gjithë njerëzve (e drejta natyrore), e cila vlen për të gjithë, është zhvilluar qysh në filozofinë antike greke, pra para më shumë se 2000 vjetësh. Në krishtërimin e hershëm dhe në fetë e tjera, kjo traditë e të drejtave të njeriut është zhvilluar më tej: Të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë nga Zoti dhe të gjithë kanë detyrime të barabarta përpara tij. Këto dy parime përbëjnë rrënjët e idesë së të drejtave të njeriut. Megjithatë, në atë kohë, ato nuk kishin të bënin shumë me realitetin politik. Ato pasqyronin më shumë mendime filozofike, të cilat edhe pse në fakt kishin ngritur kërkesa universale, zbatimin praktik në jetën politike e përjetuan hap pas hapi në fillim të Epokës së Re.
Rëndësi të veçantë në këtë aspekt pati në mënyrë të veçantë filozofia e së drejtës natyrore të Epokës së Re, sidomos e filozofit anglez Xhon Lok. Vepra e tij shënon fillimin e kapitullit të shfaqjes së idesë së të drejtave të patjetërsueshme të njeriut.
Liria dhe pasuria për Xhon Lokun janë të drejta të lindura të njeriut. Çdo shtet ka për qëllim mbrojtjen e këtyre të drejtave natyrore. Lok, në filozofinë e tij politike e lidh shtetin me të drejtat e njeriut, duke shënuar në këtë mënyrë hapin vendimtar të kalimit nga ideja abstrakte e të drejtave të njeriut në zbatimin e tyre konkret brenda shtetit. Këto ide u morën parasysh dhe u futën në kushtetutën e Anglisë dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Anglia ka luajtur rol vendimtar gjatë këtij zhvillimi. E ashtuquajtura „Magna Charta Libertatum", qysh në vitin 1215 i kufizoi mbretit disa të drejta, „Petition of Rights" i vitit 1628, siguroi paprekshmërinë e qytetarëve, ndërsa dosja „Habeas-Corpus" e vitit 1679 shënoi kalimin vendimtar në fazën e shpalljes së idesë së të drejtave të njeriut si të drejta të shprehura me ligj, në të drejtën konkrete të shtetit. Në të, qytetari u mbrojt nga arrestimi i paarsyeshëm: Detyrimi për t'u sjellë para gjykatësit brenda 20 ditëve i të arrestuarit.
Këto të drejta vlenin edhe për kolonitë angleze, si psh. në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në kuadrin e luftës për pavarësi, duke u mbështetur në idenë e Xhon Lokut, u formulua edhe katalogu i parë në histori i të drejtave të njeriut, “Virginia Bill of Rights” i vitit 1776, i cili bashkë me “Deklaraten Amerikane te Pavarsise” të po të të njëjtit vit,  numërohen si dokumentet më të rëndësishme në historinë e të drejtave njeriut. Të dyja këto janë të përgatitura si dokumente, të cilat ia vlen të lexohen.  „Virginia Bill of Rights" ngriti të drejtat e shënuara më poshtë si të drejta të patjetërsueshme të njeriut, të cilat që nga ajo kohë përbëjnë thelbin e të drejtave të njeriut:
E drejta për jetë, liri dhe pasuri
Liria e mbledhjes dhe liria e shtypit
E drejta e peticionit
E drejta për mbrojtje juridike
E drejta e votës
Duke u nisur nga Franca, zbatimi në formën kushtetuese i idesë së të drejtave të njeriut mori përmasa të përshpejtuara. Revolucioni Francez i vitit 1789 me parullën e tij „liberté, égalité, fraternité" pati ndikim shumë të madh. Më 26 gusht 1789 u pranua “Deklarata per te Drejtat e Njeriut dhe atyre Qytetare", e cila gjendet gjithashtu si dokument në faqen e materialeve. Në të bie në sy përpjekja patetike e theksimit të rëndësisë universale të të drejtave të njeriut. Me rëndësi të veçantë, në fillim ishte përfshirja e të drejtave të njeriut si të drejta themelore në kushtetutat kombëtare, gjë që u arrit me sukses gjatë shek.XIX në thuajse të gjitha shtetet evropiane. Zbatimi politik dhe juridik i idesë filozofike të të drejtave të njeriut u arrit deri në mesin e shekullit XX.
Në vazhdim u shfaq problemi i nevojës së vlerës universale, ndërsa karakterizimi i tyre si të drejta themelore ishte i kufizuar brenda kornizave të ngushta të shteteve kombëtare. Përpjekjet për të luftuar këtë kontradiktë, respektivisht përpjekjet për zbatimin universal politik dhe juridik të të drejtave të njeriut, përbëjnë gjithashtu nje zhvillim të të drejtave të njeriut.
Përpjekjet për realizimin e vlerës universale të të drejtave të njeriut në tërë botën i përshpejtoi krimi i tmerrshëm i Luftës së Dytë Botërore. Ajo që kishte ndodhur në këtë luftë, nuk duhet të përsëritej më. Të gjithë njerëzit në botë duhet të gëzonin të drejta dhe liri themelore. Kjo ishte njëherazi edhe arsyeja kryesore e themelimit të Kombeve të Bashkuara. Përmes bashkimit të të gjitha shteteve, të drejtat e njeriut synohej të mos mbeteshin më vetëm çështje e shteteve përkatëse, por çështje e bashkësisë së shteteve ndërkombëtare. Kjo gjë u garantua me nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet shteteve, nëpërmjet të ashtuquajturës Karta e Kombeve të Bashkuara, e cila u aprovua më 26 qershor të vitit 1945. Me këtë kartë, të gjitha shtetet anëtare detyrohen për bashkëpunim të ndërsjellë, dhe po ashtu çdo shtet i veçantë është i detyruar të bashkëpunojë me OKB-në, me qëllim që të arrihen qëllimet e saj (neni 56). Ndër qëllimet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara është edhe vënia në jetë e të drejtave të njeriut. Sipas këtij neni, çdo anëtar i Kombeve të Bashkuara është i detyruar të respektojë të drejtat e njeriut. Anëtarë të organizatës, sot janë thuajse të gjitha vendet e botës. Për të përkufizuar saktë të drejtat e njeriut, është përpiluar edhe “Deklarata e Pergjithshme per te drejtat e Njeriut", e cila është aprovuar në dhjetor të vitit 1948.
Të drejtat e njeriut janë të drejta të lindura dhe vlejnë për të gjithë njerëzit në botë. Çdo njeri ka të drejtën e vet, nga fakti i të qenit njeri, pa marrë parasysh përkatësinë e tij kombëtare, besimin dhe seksin. Për këtë arsye, ato janë të pacenueshme, d.m.th. të përhershme, pra nuk mund t'i mohohen askujt. Funksioni i tyre themelor është mbrojtja e qytetarëve nga ndërhyrja e shtetit.
Të drejtat e njeriut mbulojnë shumë sfera të ndryshme të bashkëjetesës njerëzore. Për këtë arsye është e logjikshme ndarja e tyre në grupe të ndryshme:
Grupi i parë: Të drejtat personale
Grupi i dytë: Të drejtat politike dhe civile
Grupi i tretë: Të drejtat sociale dhe ekonomike
Grupi i katërt: Të drejtat e brezit të tretë
            Grupi i parë: Të drejtat personale
Grupi i parë përbëhet nga të ashtuquajturat të drejta personale. Ato janë të drejtat, të cilat kujdesen për mbrojtjen e njerëzve si të tillë nga ndërhyrja e shtetit, si dhe për paprekshmërinë e dinjitetit njerëzor. Si shembuj në këtë kontekst shërben e drejta për jetën, si kusht elementar për të gjitha të drejtat e tjera, si dhe e drejta e shprehjes së lirë të personalitetit. Se çfarë ndikimi kanë në jetë të drejtat personale, bëhet e qartë nga fakti se dënimi me dhunë fizike në rastet e shkeljes së ligjit, deri në shekullin e kaluar praktikohej edhe në vendet demokratike. Jo shumë dekada më parë, ishte normal edhe ndëshkimi i nxënësve me rrahje nga mësuesit, për shkak të sjelljes jo të mirë! Të drejtat personale përbëjnë thelbin e të drejtave të njeriut. Ato i gjejmë në të gjitha dokumentet për të drejtat e njeriut.
Grupi i dytë: Të drejtat politike dhe civile
Përballë të drejtave personale, të drejtat politike dhe të drejtat civile apo qytetare, përbëjnë grupin e dytë të të drejtave të njeriut. Qëllimi i tyre është garantimi i pjesëmarrjes së lirë të secilit në jetën politike të shoqërisë ku ai jeton, pa pa pasur frikën e një dënimi.  Në këtë kontekst, e drejta e shprehjes së lirë të mendimit dhe e drejta e shtypit luajnë rol të rëndësishëm. Në to pasqyrohen qëndrimet e njerëzve ndaj qeverive të tyre. Nëse pengohet shprehja e lirë e qëndrimeve në fjalë, atëherë qeveria e humb të drejtën e përfaqësimit demokratik të interesave të qytetarëve të saj.
Grupi i tretë: Të drejtat sociale dhe ekonomike
Të drejtat sociale dhe ato ekonomike përbëjnë një grup tjetër të të drejtave të njeriut. Qëllimi i tyre është sigurimi i çdo personi me gjërat elementare, të nevojshme, të paktën për sigurimin e ekzistencës së tij. Këtu hyn edhe e drejta për arsim. Duke u nisur nga fakti se për një jetë dinjitoze, përveç sigurimit të ushqimit, është e nevojshme edhe përmbushja e kërkesave të tjera, atëherë bëhet i domosdoshëm edhe krijimi i kushteve elementare për zhvillim.
Grupi i katërt: Të drejtat e brezit të tretë
Të ashtuquajturat Të drejtat e brezit të tretë, janë futur relativisht vonë në grupin e të drejtave të njeriut. Ato kujdesen që të drejtat e njeriut të mos konsiderohen si një ligj i ngurtë, por si të drejta të cilat zhvillohen dhe ndryshohen. Përveç kësaj, ato pasqyrojnë edhe faktin e ekzistencës së problemeve të reja, të cilat rrezikojnë të drejtën e personit për të jetuar.
Përveç të drejtave për zhvillim, të cilat kanë për qëllim zvogëlimin e ndarjes mes të varfërve dhe të pasurve në botë, si të drejta të brezit të tretë konsiderohen në radhë të parë edhe të drejtat e ambjentit. Ato kanë për detyrë sigurimin e kushteve për mbrojtjen nga dëmtimi i tepërt, apo nga shkatërrimi i hapësirës natyrore jetësore të njeriut. Që nga Konferenca Botërore e Mbrojtjes së Ambjentit të Jetesës, e mbajtur në Rio de Zhaneiro në vitin 1992, është në rritje e sipër rëndësia e të drejtave, si e drejta e njeriut për një ambjent të shëndetshëm -  sidomos për brezat e ardhshëm. Siç shihet, të drejtat e njeriut nuk janë statike, por ato zhvillohen, dhe kjo mundëson reagimin ndaj sfidave të reja, si ajo e problemit global për mbrojtjen e ambjentit, me të cilat përballet njerëzimi.
Të drejtat e dy grupeve të fundit, shpesh të njohura edhe si "të drejta të solidaritetit", nuk janë të pakontestueshme. Ato ndryshojnë në aspektin cilësor nga të drejtat e dy grupeve të mëparshme, të cilat duhet të zbatohen kudo. Teksti në vazhdim jep një vështrim më të hollësishëm:
"Që nga rënia e regjimit komunist dhe diskreditimit të idesë që përfaqësonte ai, janë zvogëluar edhe diskutimet ideologjike rreth të drejtave të njeriut. Në aspektin botëror ka dalë në sipërfaqe në mënyrë të veçantë nevoja e diskutimeve rreth dy çështjeve: E para ka të bëjë me nevojën e një kategorizimi të ri kolektiv të të drejtave të njeriut, ndërsa tjetra ka të bëjë me problematikën e një baze universale të idesë së të drejtave të njeriut, duke u nisur nga shumllojshmëria e kulturave botërore. Përfaqësuesit e hemisferës jugore, por edhe mbrojtësit progresivë të ideve të të drejtave të njeriut në veri, angazhohen që në kuadrin e diskutimit të parë të përfshijnë të ashtuquajturat "të drejta solidare" në konceptin universal të të drejtave të njeriut. Këtu bëjnë pjesë në radhë të parë e drejta për paqe, e drejta për zhvillim, dhe e drejta për ambjent të pastër. E diskutueshme ka mbetur çështja nëse mund të futen këto qëllime kolektive si elemente të barabarta në një kategori të të drejtave ligjore me të drejtat individuale politike. Të drejtat e përmendura solidare janë, pa asnjë përjashtim, shprehje e gjendjes kolektive dhe si kusht kërkojnë një angazhim aktiv politik - gjithnjë duke pasur parasysh edhe mundësimin e mosrealizimit apo dështimit të tyre. Për filozofinë e të drejtave të njeriut, rëndësi të veçantë ka pasur gjithnjë karakteri moral dhe ligjor i këtyre të drejtave, si të drejta individuale të secilit, të cilat duhet të respektohen dhe realizohen në çdo kohë dhe në çdo vend. 
Te drejtat e njeriut jane universale, te pandashme, te patjetersueshme dhe plotesojne njera tjetren por  nje debat tjeter I zjarrte eshte hapur edhe per sa I perket te drejtave te njeriut dhe lidhjes se tyre me fene.
Diskutimet rreth hamendjes lidhur me çështjen e vlerës universale të të drejtave të njeriut, për të cilat shpesh thuhet se kanë lindur tepër për Evropën e krishterë, kanë dhënë rezultate të dukshme. Ato janë arritur gjithashtu me dialogun mes feve dhe kulturave botërore, duke gjetur në këtë mënyrë vlera të përbashkëta themelore për të gjithë njerëzit, pra një etikë botërore.
Bazë e këtij zhvillimi ka qenë Parlamenti i Besimeve Botërore, i cili pas bisedimeve të shumta e të lodhshme u mblodh në vitin 1993 në Chicago, dhe aprovoi "Deklaratën e Etikës Botërore".
Zhvillim të ngjashëm kanë përjetuar edhe përpjekjet e InterAction Councils, të përbërë nga ish kryetarët e shteteve dhe qeverive të shumë vendeve të botës, i cili ka propozuar aprovimin e një "Deklarate të Përgjithshme për Detyrat e Njeriut", si plotësim i "Deklaratës së Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut".
Themel i përpjekjeve për gjetjen e vlerave të përbashkëta, të cilat do të njiheshin nga i gjithë njerëzimi, është konstatimi se është më se e nevojshme gjetja e një parimi të përbashkët për të gjithë botën, të gjitha kulturat dhe fetë dhe për të gjitha kohët. Në çdo moment kjo do të shënonte thelbin e çdo etike, pra gjetjen e një Rregulle të Artë. Në të bazohen të gjitha etikat e njohura. Ajo është baza e veprimeve legjitime të individëve, grupeve, shteteve dhe bashkësive të shteteve. Rregulla e Artë thotë: "Sillu me tjetrin, ashtu siç dëshiron që të tjerët të sillen me ty". Të njëjtën gjë e thotë edhe "Deklarata e Etikës Botërore":[2]
Nënvizojmë se në mësimin fetar ekziston një bazë e përbashkët e vlerave thelbësore, dhe se këto vlera përbëjnë bazën e një Etike Botërore.
Deklarojmë, se kjo e vërtetë është e njohur, por ajo duhet të vihet në jetë me zemër dhe vepër.
Deklarojmë se ekziston një normë e paanuluar dhe e pakushtëzuar për të gjitha fushat e jetës, për familjet dhe komunitetet, për racat, kombet dhe fetë. Tashmë ekziston një direktivë e lashtë për sjelljen njerëzore, e cila është gjetur edhe në mësimet fetare të botës dhe është kusht për një rend të qëndrueshëm botëror.
Deklarojmë:
Ne të gjithë jemi të varur nga njëri-tjetri. Çdonjëri prej nesh është i varur nga mirëqenia e përgjithshme. Për këtë arsye, ne kemi respekt për bashkësinë e qenieve të gjalla, njerëzve, kafshëve dhe bimëve, dhe kemi kujdes për ruajtjen e vendit, ajrit, ujit dhe tokës.
Ne mbajmë përgjegjësi individuale për të gjitha veprimet tona. Të gjitha vendimet, veprimet dhe mosveprimet tona kanë pasoja.
Ne duhet t'i trajtojmë të tjerët, ashtu siç dëshirojmë të trajtohemi prej tyre. Ne jemi të detyruar të respektojmë jetën dhe dinjitetin, individualitetin dhe dallueshmërinë, në mënyrë që çdo njeri të trajtohet në mënyrë njerëzore pa përjashtime. Ne duhet të jemi të duruar dhe të pranojmë. Ne duhet të jemi në gjendje të falim, duke mësuar nga e kaluara, megjithatë kurrë nuk duhet të lejojmë që të mbetemi pengje të kujtimeve të urrejtjes. Duke ia hapur zemrën njëri-tjetrit, ne duhet t'i varrosim grindjet tona të vjetra për hir të çështjes së bashkësisë botërore dhe të praktikojmë një kulturë të solidaritetit dhe të mirëkuptimit të ndërsjellë.
Ne e konsiderojmë njerëzimin si familjen tonë. Ne duhet të përpiqemi të jemi të përzemërt dhe bujarë. Ne nuk duhet të jetojmë vetëm për vete, por duhet t'u shërbejmë edhe të tjerëve, dhe asnjëherë nuk duhet të harrojmë fëmijët, pleqtë, të varfërit, të përvuajturit, të gjymtuarit, refugjatët dhe të vetmuarit. Askush nuk duhet të  konsiderohet, të trajtohet apo të shfrytëzohet në ndonjë mënyrë tjetër si qytetar i dorës së dytë. Duhet të ekzistojë një partneritet i barabartë mes burrit dhe gruas. Ne nuk duhet të kryejmë kurrfarë amoralitetesh seksuale. Duhet t'i shmangemi çdo lloj forme të sundimit apo të keqpërdorimit. Ne bazohemi në një kulturë pa dhunë, të respektit, drejtësisë dhe paqes. Ne nuk do të shtypim, dëmtojmë, torturojmë apo vrasim askënd dhe do të heqim dorë nga përdorimi i dhunës, si mjet për shprehjen e diferencave.
Ne duhet të punojmë për një rend të drejtë social dhe ekonomik, në të cilin secilit do t'i jepet mundësi e barabartë për të shfrytëzuar plotësisht të gjitha mundësitë e tij si njeri. Ne duhet të flasim të vërtetën dhe të veprojmë drejt dhe me ndjenjë për tjetrin, duke u sjellë në mënyrë të sinqertë në raport me të gjithë dhe duke mënjanuar paragjykimet dhe urrejtjen. Ne nuk duhet të vjedhim. Për më tepër, ne duhet të mundim vesin për pushtet, prestigj, para dhe konsum, për të krijuar një botë të drejtë dhe paqedashëse.
Bota nuk mund të ndryshohet për të mirë, nëse nuk ndryshohet së pari vetëdija e secilit. Ne premtojmë se do të zgjerojmë aftësinë tonë të perceptimit duke disiplinuar shpirtin tonë nëpërmjet meditimit, lutjes apo duke menduar pozitivisht. Pa rrezikuar dhe pa gatishmëri për të sakrifikuar, nuk mund të ketë ndryshim të situatës në të cilën ndodhemi. Për këtë arsye, ne i referohemi kësaj  Etike Botërore, mirëkuptimit të ndërsjellë dhe formave të pranueshme sociale, paqenxitëse dhe ekologjike të jetesës.  Ftojmë të gjithë njerëzit që të bëjnë të njëjtën gjë, pa marrë parasysh nëse janë ose jo fetarë.
Dinjiteti i njeriut
Të drejtat dhe dinjiteti i njeriut janë të pandashme nga njëri-tjetri. Këtë e shpjegon edhe krahasimi i tekstit në vazhdim, i nxjerrë nga përkufizimki i një fjalori mbi temën e komplikuar të dinjitetit të njeriut
"Dinjiteti i njeriut është vlera e brendshme dhe njëkohësisht e drejta sociale dhe e drejta për t'u nderuar, e cila i takon njeriut nga vetë vullneti i tij. Dinjiteti i njeriut i takon çdo njeriu, ai është i lindur dhe i patjetërsueshëm. Në të kanë pjesë si të palindurit, ashtu dhe të vdekurit. Respektimi i tij do të thotë që shteti është i detyruar të heqë dorë nga çdo gjë që e rrezikon atë. Ai duhet ta respektojë njeriun si person, nuk duhet ta bëjë objekt të veprimit të shtetit dhe nuk duhet ta keqpërdorë për asnjë qëllim. Mbrojtja e dinjitetit të njeriut do të thotë që shteti ka për detyrë të ndërmarrë çdo gjë për t'iu kundërvënë cenimit të dinjitetit të njeriut - edhe nga persona të tretë [3]"
Po e mbull kete ese me Preambulen e Deklarates Universale te te drejtave te njeriut miratuar  me 10 dhjetor 1948 e cila shpreh me se  miri gjithe filzofine persa I perket te drejtave te njeriut.
Pasi njohja e dinjitetit të lindur të të drejtave të barabarta dhe të patjetërsueshme
të të gjithë anëtarëve të familjes njerëzore është themeli i lirisë, drejtësisë dhe
paqes në botë. Pasi mosrespektimi dhe përbuzja e të drejtave të njeriut ka çuar drejt akteve
barbare, të cilat kanë ofenduar ndërgjegjen e njerëzimit, dhe pasi krijimi i botës në
të cilën njerëzit do të gëzojnë lirinë e fjalës, të besimit dhe lirinë nga frika e varfëria
është shpallur si dëshira më e lartë e çdo njeriu.Pasi është e nevojshme që të drejtat e njeriut të mbrohen me dispozita juridike, në mënyrë që njeriu të mos jetë i detyruar që në pikën e fundit të bëjëkryengritje kundër tiranisë dhe shtypjes. Pasi  është e nevojshme që të nxitet zhvillimi i marrëdhënieve miqësore midiskombeve.Pasi popujt e Kombeve të Bashkuara vërtetuan përsëri në Kartë besimin e tyre nëtë drejtat themelore të njeriut, të dinjitetin dhe vlerën e personit të njeriut dhebarazinë midis burrave dhe grave dhe pasi vendosën që të nxisin përparimin shoqëror dhe të përmirësojnë nivelin e jetës në liri të plotë. Pasi shtetet anëtare u detyruan që, në bashkëpunim me Kombet e Bashkuara, tësigurojnë respektimin e përgjithshëm dhe zbatimin e të drejtave të njeriut dhe tëlirive themelore.Pasi kuptimi i përbashkët i këtyre të drejtave dhe lirive është më i rëndësishëm përrealizimin e plotë të këtij detyrimi:
si ideal të përgjithshëm të cilin duhet ta arrijnë tëgjithë popujt dhe të gjitha kombet, në mënyrë që çdo njeri dhe çdo organizëmshoqëror, duke pasur parasysh gjithmonë këtë Deklaratë, të përpiqet që, me anë tëmësimit dhe edukimit, të ndihmojë në respektimin e këtyre të drejtave dhe lirive
dhe që, me anë të masave progresive kombëtare dhe ndërkombëtare, të sigurohet
njohja dhe zbatimi i tyre i përgjithshëm dhe i vërtetë, si midis popujve të vetë
shteteve anëtare, ashtu edhe midis popujve të atyre territoreve që janë nën
administrimin e tyre.” [4]


[1] Ish përfaqësuese e Komisariatit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Meri Robinson
[2] Marre nga http://www.dadalos.org/alb/Menschenrechte/grundkurs_mr2/Weltethos/dokum_1.htm
[3] Jean Amery, Die Tortur; cituar nga: Thema im Unterricht 11/1997,
[4] Deklarat Universale e te drejtave te njeriut 10 djetor 1948
-------------------------------------
Bibliografia
Daci, Jordan. “Te Drejtat e Njeriut”, Tirane 2006
Deklarata Universale e te drejtave te njeriut miratuar  me 10 dhjetor 1948
        "Deklarata mbi Etikën Botërore"
(Parlamenti i Besimeve Botërore, 4  Shtator 1993, Chicago)
Jean Amery, Die Tortur; cituar nga: Thema im Unterricht 11/1997,



No comments:

Post a Comment